Përvjetori i PS, rruga e gjatë nga konservatorizmi në liberalizëm

0
79

Nga Armando Meta/

SPECIALE JAVANEWS/ Thuajse asnjë nuk do ta kishte menduar vjeshtën e largët të vitit 1941, kur 200 petrita themeluan Partinë Komuniste, se pas 77 vitesh partia që ata po themelonin do të ishte një nga partitë më liberale në vend, me emër të ri (PS) që është në pritje të çeljes së negociatave të Shqipërisë me BE. Brenda 27 viteve të fundit PS sfidoi nga pikëpamja e liberalizimit edhe partinë që përmbysi diktaturën komuniste. Duket një paradoks, por kjo është e vërteta e PS që ndër vite u transformua nga një parti diktatoriale në një parti liberale. Historia e së majtës shqiptare e ka zanafillën me 8 nëntor 1941 vit, kur lindi PKSH, e cila më 8 nëntor të vitit 1948 ndryshoi emrin duke u quajtur Partia e Punës së Shqipërisë, emër të cilin ajo e mbajti deri me 12 qershor 1991.

Komunistët reformatorë

Në kongresin e dhjetë të PPSH-së, më 12 qershor 1991, kjo forcë politike mori emrin Partia Socialiste e Shqipërisë. Ndryshimi emrit erdhi si nevojë logjike, pasi kishte pak muaj që ishte rrëzuar sistemi komunist dhe se PPSH duhej të përshtatej me kushtet e reja të krijuara. Largimi nga rradhët e partisë së një pjese të madhe të anëtarëve të Byrosë Politike ishte hapi i parë para kongresit ku pritej dhe transformimi i partisë. Në kongres pati disa opsione për emrin e ri të partisë. Që në nisje të fjalimit historik të shkrimtarit-politikan, Dritëro Agolli vërshuan sharjet dhe ulërimat nga salla, ndërsa disa delegatë i çonin pusulla kërcënuese në podium. “Ju ma vërtetuat mendimin tim se Partia e Punës nuk rinovohet në qoftë se ju bëni kështu. Bërtitjet tuaja jashtë çdo civilizimi dhe jashtë çdo kohe të qytetëruar, janë pasqyrë e një partie që është shtrirë në shtrat e po jep shpirt ”- iu drejtua Agolli, turmës fanatike.

Por ndryshimi ndodhi. Pas orëve të gjata të debateve të asaj dite të nxehtë vere, Partia e Punës hoqi dorë nga simbolet e vjetra, nga Enver Hoxha, nga statuti e programi, nga byroja politike, madje dhe nga emri. Ajo u quajt Partia Socialiste dhe zgjodhi kryetar një intelektual të ri, ekonomistin Fatos Nano, i cili ishte bërë i njohur si antikonformisti i orëve të para të ndryshimit të sistemit me intervistën e tij të famshme tek Zëri i Amerikës. Fatos Nano u zgjodh kryetar i partisë së riemëruar dhe një grup drejtuesish të tjerë të rinj që i përkisnin niveleve të dyta e të treta të qeverisjes komuniste.

Riemërtimi i strukturave

Në kongres u vendos ndryshimi i emërtimit të strukturave drejtuese dhe të posteve të ndryshme, me kujdesin që të ruhej elektorati i PPSH-së. Posti Sekretar i parë i Komitetit Qëndror të PPSH, u ndryshua me emërtimin kryetar i partisë. Komiteti Qendror i Partisë, zëvëndësohej me emërtimin Komiteti i Përgjithshëm Drejtues i partisë. Në këto forume u zgjodhën edhe një grup intelektualësh, të cilët u vendosën në postet e rëndësishme të partisë.

Humbja në zgjedhjet e 22 marsit 1992

Më 22 mars të vitit 1992, Partia Socialiste humbi zgjedhjet parlamentare të parakohshme, përballë Partisë Demokratike që fitoi në këto zgjedhje me një mbështetje të madhe në të gjithë vendin. PS ishte në procesin e reformimit dhe ky proces do të duhej të përfshinte medoemos ndarjen me të kaluarën komuniste. Në raportin e mbajtur në Kongresin e Parë të PS-së kryetari Fatos Nano në një përpjekje për liberalizimin e partisë u shpreh se “duhet të denoncohet çdo tentativë për mbytjen e demokracisë si brenda radhëve të partisë edhe në shoqëri, çdo tentativë për vendosjen e një diktature të re, mbi gërmadhat e së vjetrës”. Një mesazh ky që tregonte dhe tendencën ku ai synonte të fuste PS për ta kthyer atë në një parti liberale. PS-ja nisi në këtë mënyrë rrugën e gjatë të reformimit. Nano e drejtoi PS për 14 vite, katër prej të cilave ishte në burg. Gjatë këtyre viteve, PS qëndroi pesë vjet në opozitë dhe 8 të tjera në pushtet.

Betejat me Ilir Metën

Përgjatë këtyre viteve nuk u ndal asnjëherë lufta për pushtet brenda kësaj partie e përqëndruar mes grupit të Fatos Nanos dhe Ilir Metës. Kjo betejë përfundoi në janar të vitit 2004 kur Ilir Meta u largua nga kjo parti bashkë me një grup deputetësh dhe themeloi Lëvizjen Socilaiste për Integrim. Kjo ndarje ishte edhe një ndër arsyet e humbjes së PS-së në zgjedhjet parlamnetare të korrikut të vitit 2005. Pas humbjes, Fatos Nano dha dorëheqje nga post i kryetarit të PS-së dhe në vend të tij, u zgjodh Edi Rama.

Epoka Edi Rama

Në fillim u duk pak e vështirë që Edi Rama ta fitonte mbështetjen e elektoratit të PS. Ai nisi shpejt të zbatojë strategjinë e tij për të ndryshuar partinë. Në tetë vitet e PS-së në opozitë, Rama u përball shpesh me situate të vështira për shkak të lëvizjeve të kundërshtarëve të tij brenda PS-së. Megjithatë ai shprehu vendosmërinë e tij për të çuar deri në fund projektin për PS. Rama ia doli të nxjerrë jashtë loje shumë prej ish-drejtuesve të rëndësishëm të kësaj partie duke nisur nga mandati i parë në opozitë për të përfunduar me këtë të fundit, pranverën e vitit 2013 kur Rama la jashtë listës së kandidatëve për deputet një prej modeleve të rëndësishme drejtuese të kësaj partie, Arben Malajn.
Ndryshimet thelbësorë të Ramës në krye të PS-së nisin me vitin 2007. Një mbledhje e KPD-së së 13 marsit të këtij viti vendosi ndryshimin e emrit të këtij forumi dhe riemërimin e tij në Asambleja Kombëtare e PS-së. Në kongres do të ndryshohej edhe përbërja e këtij forumi. Të tjera ndryshime thelbësore në mënyrën e funsksionimit të partisë, i dhanë formën përfundimtare PS-së sipas Edi Ramës. Më 9 prill 2007 u mblodh kongresi i PS mbi bazën e mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS, dalë nga mbledhja e KPD së 13 marsit. Në kongres u paraqit nga kundërshtarët e Ramës “rezoluta për mirëkuptim”. Rezoluta u rrëzua në kongres, një kongres, i cili zhvillohej për herë të parë me dyer të mbyllura .

Rama vs. Meta

Kur u zgjodh në krye të PS-së, Edi Rama pati premtuar se do të bashkonte të majtën. Pak ditë pas zgjedhjes ai organizoi tryezën e opozitës, me pjesëmarrjen e Ilir Metës së LSI-së, Skënder Gjinushit të PSD-së, dhe Paskal Milos së PDS-së. Bashkimi i së majtës ishte një ndër premtimet solemne të Edi Ramës sapo mori postin e krytarit të partisë. Por, tryeza me Metën e aleatët e tjerë të opozitës funksionoi vetëm deri pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2007, kur Rama u rikonfirmua në postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës edhe me votat e LSI-së. Nisi një betejë e fortë politike midis Ramës e Metës kryesisht në momentin e ndryshimeve në Kushtetutë të vitit 2008, ndryshime që penalizuan LSI-në. Ishte fjala për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pikërisht ndryshimi i sistemit zgjedhor. Pas zgjedhjeve të vitit 2009 Meta hyri në koalcion me Berishën dhe këtu nis e intensifikohet beteja e Edi Ramës kundër Ilir Metës. Kjo betejë akuzash kulmoi me protestën e 21 janarit 2011 ku si pasojë e përplasjes garda e qeverisë Meta-Berisha vrau 4 persona të pafajshëm. Ky 27 vjetor e gjen PS në pushtet dhe një parti shumë larg asaj vjeshte të ftohtë të 1941 nga ku mori rrugën e sendërtimit kjo forcë politike, e cila 77 vite më vonë duket se s’ka më asnjë lidhje me “200 petritat” e 8 nëntorit 1941.

-Reklama-

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here