Drafti është i ngjashëm me atë të vit 2016, nga i cili përfituan më shumë se 700 të dënuar, ndërkohë që 2017-a, ishte viti i parë në dhjetëvjeçarin e fundit ku nuk u aplikua amnisti për të burgosurit.
Nga amnistia do të përfitojnë të gjithë qytetarët e burgosur apo që janë në proces gjyqësor për veprat penale të konsideruara të lehta, që parashikojnë maksimumi deri në 3 vite burgim për dënime të dhëna deri më 30 nëntor 2018, pavarësisht kohës që u mbetet për të vuajtur. Gjithashtu, amnistohen të gjithë personat e dënuar me burgim, të cilëve deri në datën e hyrjes së fuqi të ligjit, u kanë mbetur pa vuajtur një periudhë deri në dy vite burgim.
Një tjetër kategori, që përfitojnë janë femrat e dënuara, të cilat në datën e hyrjes së fuqi të ligjit, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç, ndërsa meshkujt, baras ose mbi moshën 60 vjeç.
Amnistohen gjithashtu personat e dënuar me burgim, të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, përjashto ata që kanë kryer vrasje ose krime të tjera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Po ashtu edhe personat që janë arrestuar, apo është dhënë dënim i formës që prerë deri në datën kur hyn në fuqi ligji, do të përfitojnë. Ndërsa ata që janë në proces gjykimi, akuzat ndaj tyre pushohen në gjendjen që janë.
Nuk do mund të përfitojnë nga amnistia të dënuarit me burgim të përjetshëm, për dhunë në familje, për korrupsion, për krime kundër njerëzimit, krime seksuale, vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, apo ata që kanë kryer vepra penale kundër fëmijëve martesës ose familjes. Do të përjashtohen gjithashtu edhe të dënuarit për krime që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokrat të zgjedhjeve.